“I rregullova të katërt”, mesazhi në SKY i Aurel Hoxhës pas vrasjes së Klevis Lleshit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.09.2025, 07:34

Sabah Nuzi është njohur me masën e sigurisë "arrest në burg" nga Gjykata e Posaçme, pasi dyshohet si ekzekutor i Klevis Lleshit në vitin 2020, kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh.

Gjatë seancës gjyqësore me dyer të mbyllura, Nuzi ka mohuar përfshirjen në vrasje. Avokati i tij, Elton Hysenaj, ka kërkuar pavlefshmërinë e komunikimeve të përgjuara përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC, mbi të cilat është ngritur një pjesë e madhe e provave të SPAK.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, vrasja e Klevis Lleshit është kryer për llogari të Aurel Hoxhës, i njohur edhe me nofkën "Kolaveri", në kuadër të një hakmarrjeje të përgjakshme pas vrasjes së vëllait të tij, Agim Hoxha, nga Arben Lleshi në Britaninë e Madhe.

Nga komunikimet në Sky ECC, Aurel Hoxha shprehet në një moment se “i rregullova të 4-ërt”, çka sipas prokurorisë i referohet katër viktimave nga familja Lleshi: Xhavit Lleshi, Hajredin Lleshi, Artan Lleshi (i zhdukur) dhe së fundmi, Klevis Lleshi.

Ndërkohë, Samet Loka, i identifikuar si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Hoxha, është lënë në arrest shtëpie, pasi dyshohet për pastrim parash dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.

Aurel Hoxha vijon të jetë në arrati, ndërsa Sajmir Kolaveri, i dyshuar si ndërmjetësi mes tij dhe autorit të vrasjes, është arrestuar në Itali dhe pritet ekstradimi drejt Shqipërisë.

SPAK po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të katër vrasjeve të tjera të lidhura me familjen Lleshi, përfshirë edhe atë të Arben Lleshit, i vrarë brenda burgut të sigurisë së lartë në Peqin, ku vuante dënimin për vrasjen e Agim Hoxhës në Britani.

Aurel Hoxha dyshohet gjithashtu për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash në disa shtete.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit