Një seri shfaqjesh të dyshimta të dronëve ka vënë në alarm disa vende të Europës këtë javë.
Danimarka raportoi të shtunën fluturimin e disa dronëve mbi bazën më të madhe ushtarake të saj në Karup, duke detyruar mbylljen e hapësirës ajrore për trafikun civil.
Vetëm pak ditë më parë, dronë të tjerë u panë mbi bazën ajrore Skrydstrup, duke shkaktuar mbylljen e aeroportit të Aalborg. Pamje të ngjashme janë regjistruar edhe mbi qytetet Esbjerg dhe Sonderborg.
Edhe vende të tjera raportuan shkelje të ngjashme:
Lituania: tre dronë u panë pranë Vilniusit, duke shkaktuar vonesa në fluturime.
Finlanda: një dron u dallua mbi termocentralin Valajasosky në Rovaniemi.
Gjermania: media lokale raportoi fluturime dronësh në Schleswig-Holstein, pranë kufirit me Danimarkën.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen, deklaroi se nuk ka prova që lidhen drejtpërdrejt me Rusinë, por e cilësoi situatën si një “sulm hibrid” nga një 'aktor profesionist', duke pasur parasysh numrin dhe koordinimin e incidenteve.
Autoritetet daneze raportuan gjithashtu se një luftanije ruse është parë pranë ujërave të tyre me sistemin e ndjekjes të fikur, gjë që ka shtuar edhe më shumë dyshimet. Nga ana tjetër, Kremlini i ka cilësuar akuzat si “të pabaza”.
Ngjarjet e fundit shtojnë tensionin brenda NATO-s, pasi në javët e fundit janë raportuar disa shkelje të hapësirës ajrore të vendeve aleate nga avionë dhe dronë rusë. Në disa raste, si në Poloni dhe Rumani, janë ngritur avionë luftarakë për t’i ndaluar. Estonia madje ka kërkuar zyrtarisht konsultime sipas Nenit 4 të traktatit të NATO-s, duke ngritur alarmin për sigurinë në rajon.