Një operacion i madh i policisë greke, me mbështetjen e forcave speciale EKAM, ka çuar në shkatërrimin e një grupi kriminal shqiptar dhe arrestimin e gjashtë personave. Në krye të bandës qëndronte 39-vjeçari Fatjon Prendi, një emër i njohur për drejtësinë helene. 39-vjeçari u bë i njohur që në vitin 2012, kur mori pjesë në një grabitje të dhunshme në një banesë në Kifisa të Athinës.
Asokohe, bashkë me një tjetër person, ai hyri i armatosur në shtëpinë e trajnerit të PAOK-ut, Giorgo Dhoni, ku ndodheshin të moshuarit dhe fëmijët e familjes. Grabitësit kërcënuan 74-vjeçarin dhe morën para e bizhuteri, por ndërhyrja e policisë çoi në një shkëmbim zjarri, ku mbeti i plagosur një efektiv. Pas ndjekjes me helikopter dhe ndërhyrjes së forcave speciale EKAM, Prendi u kap i fshehur në një oborr shtëpie, ndërsa bashkëpunëtori i tij u arrestua pak orë më vonë.
Precedentët penalë të Prendit nuk e ndaluan atë të rikthehej në aktivitet kriminal. Sipas policisë greke, ai drejtonte një bandë shqiptare që merrej me kultivimin dhe tregtimin e drogës, ndërsa në hierarki mbështetej nga bashkëpunëtorë të afërt.
Në operacionin e fundit, ku morën pjesë sërish forcat speciale EKAM, u arrestuan edhe pesë persona të tjerë, mes tyre Elson Ndreca, Brisejda Cami, Pashke Gega, Zoje Ndoj dhe Arben Mashi, të gjithë me role të ndryshme në ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës.