Plagosje me armë në Kombinat, autori i dehur qëllon burrin e motrës

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 27.09.2025, 16:19

Një plagoje me armë zjarri ka ndodhur para pak minutash në zonën e Kombinatit, në kryeqytet.

Sipas informacioneve paraprake raportohet se në konflikt janë përfshirë dy persona që dyshohet se ishin në gjendje të dehur, të cilët kanë lidhje familjare mes tyre. Debati për motive të dobëta ka degjeneruar në përdorimin e armës, ku njëri prej tyre ka qëlluar mbi tjetrin, duke e lënë plagosur.

Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari ka qëlluar me armë mbi burrin e motrës së tij, duke e plagosur në këmbë. Fatmirësisht, lëndimet e viktimës nuk janë të rënda ndërkohë që autorit është arrestuar.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Plagosi me armë zjarri kunatin e tij, dyshohet për motive të dobëta, falë reagimit të menjëhershëm dhe ndërhyrjes profesionale të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar të ngjarjes. Shpallet në kërkim edhe një 29-vjeçar, i dyshuar i implikuar në ngjarje.

Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën autori kreu plagosjen. Rreth orës 15:40, në banesën e të dëmtuarit në rrugën “Llambi Bonata”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi M. T., rreth 41 vjeç, ka plagosur me armë zjarri kunatin e tij, shtetasin G. M., rreth 56 vjeç, i cili ndodhet në spital, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, kanë siguruar zonën dhe kanë ndërhyrë për të kapur autorin. Falë veprimeve të shpejta dhe ndërhyrjes në kohë, shtetasi M. T. u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.

Në vijim të veprimeve punohet për kapjen e shtetasit N. S., 29 vjeç, i cili dyshohet se në momentin e ngjarjes ka qenë prezent në banesë dhe më pas është larguar.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit