Një qytetar nga Peshkopia i është drejtuar redaksisë sonë për të ngritur një shqetësim serioz mbi rrezikun që u kanoset çdo ditë fëmijëve të shkollës 9-vjeçare “Irfan Hajrullari”.
Në pamjet e siguruara nga redaksia shihet qartë një shtyllë tensioni të lartë, e vendosur në mes të oborrit të shkollës, pa asnjë lidhje me furnizimin elektrik të saj. Sipas qytetarit, kjo shtyllë shërben për të dërguar energji elektrike drejt banesave pranë shkollës, ndërsa prania e saj në një hapësirë të frekuentuar nga fëmijët është një bombë me sahat.
Gjendja e shtyllës është skandaloze: e shtrembëruar, e amortizuar dhe në rrezik shembjeje nga momenti në moment. Nxënësit luajnë çdo ditë pranë saj, ndërsa prindërit jetojnë me frikën se një ditë mund të ndodhë e pashmangshmja.
Qytetari kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse: Bashkia Dibër dhe OSHEE duhet të ndërhyjnë pa vonesë për të shmangur një tragjedi të mundshme. Shtyllat e tensionit të lartë në oborre shkollash janë shembulli më i qartë i neglizhencës institucionale, ku jeta e fëmijëve mbetet në mëshirë të fatit.