Një denoncim shqetësues ka mbërritur sot në redaksinë e JOQ Albania, ku në qendër të vëmendjes janë fëmijët dhe mungesa e kujdesit prindëror ndaj tyre.
Një qytetare ka dërguar pamje ku shihen dy djem të vegjël, të cilët sipas saj janë nxënës të klasës së dytë ose të tretë, duke konsumuar lëndë narkotike. Ngjarja është regjistruar në zonën e Astirit, në Tiranë, në soletën e një objekti ende në ndërtim.
Në video, fëmijët shfaqen teksa përgatisin me kujdes cigaren e “kanabisit”, sikur ta kishin një praktikë të përditshme. Pamjet janë tepër tronditëse, dhe për arsye etike, redaksia jonë ka vendosur të mos i publikojë fytyrat e të miturve.
Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje e fortë për prindërit që të tregojnë më shumë kujdes dhe të kontrollojnë nga afër veprimet e fëmijëve të tyre. Përdorimi i lëndëve narkotike në një moshë kaq të hershme sjell pasoja të rënda në zhvillimin fizik e psikologjik të fëmijëve, dhe duhet kujtuar se edukimi i tyre nis pikërisht nga familja.
Ata që duhet ta pësojnë më shumë ndëshkimin e kësaj ngjarje janë personat që i kanë dhënë lëndën narkotike femijëve.
Mesazhi i qytetares që denoncoi rastin është i qartë:
“Shiko çfarë bëjnë fëmijët e sotëm duke tymos bar. Këta djem nuk janë më shumë se në klasë të dytë ose të tretë. Më shqetëson fakti se ku është kujdesi i përindërve ndaj këtyre fëmijëve. Unë jamë e shokuar. Duhet t’i bëjmë një apel prindërve të tregohen me të kujdesshëm.”

*Foto nga larg: Fëmijët shfaqen dhe me fytyra!