Një festival në Metamorfosi, organizuar nga Shoqata e Kretasve, u shndërrua në skenë dhune të shtunën në mëngjes, duke lënë pas katër të plagosur, tre shqiptarë dhe një grek.
Sipas mediave greke incidenti ndodhi rreth orës 02:30 në kryqëzimin e rrugëve Ermou dhe Lykourgou, teksa disa të rinj shqiptarë po largoheshin nga aktiviteti. Sipas dëshmive, gjithçka nisi pas një shkëmbimi banal fjalësh: “Ç'a ke qëm'shef? Hapu të kaloj”, që më pas degjeneroi në një përplasje të dhunshme.
Brenda pak minutash, tensioni u kthye në një përleshje masive mes rreth 20 personash, ku u përdorën edhe thika. Paniku pushtoi të pranishmit, ndërsa skena e festës u kthye në arenë gjakderdhjeje.
Si pasojë, katër persona mbetën të plagosur dhe u transportuan në spitalin KAT. Dy shqiptarë, përkatësisht 26 dhe 25 vjeç, pësuan lëndime të rënda në gjoks, brinjë dhe sqetull. Një 24-vjeçar grek, që tentoi të ndërhynte për të ndarë palët, u godit me thikë në shpinë. Po ashtu, një tjetër shqiptar mori dëmtime në krahë, brinjë, gjoks si edhe mavijosje në fytyrë.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur identitetin e autorëve dhe shkaqet që çuan në përshkallëzimin e konfliktit.