Burg për vrasësin e Klevis Lleshit, arrest shtëpie për ‘pastruesin’ e parave! Koka e grupit ende i lirë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 27.09.2025, 11:54

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 31-vjeçarin Sabah Nuzi, i akuzuar si ekzekutori me pagesë i Klevis Lleshit, 22-vjeçari nga Burreli i zhdukur në gusht të vitit 2020 dhe gjetur i groposur në një fshat të Kurbinit tre vite më pas. Nuzi u pagua 50 mijë euro nga porositësi Aurel Hoxha, i njohur si Aurelinjo Kalaveri, i cili aktualisht është në kërkim. Ndërkohë, masa “arrest shtëpie” është vendosur për Samet Lokun, pjesë e grupit të strukturuar të Hoxhës, i përfshirë në aktivitet kriminal për trafik droge dhe pastrim parash nga Amerika e Jugut në BE dhe Shqipëri.

Pjesë e këtij grupi është dhe Sajmir Kolaveri, i arrestuar në Itali dhe në pritje të ekstradimit, i identifikuar si ndërmjetësi mes Hoxhës dhe vrasësit me pagesë. Grupi kriminal, i udhëhequr nga Hoxha, përdorte paratë nga trafiku ndërkombëtar i drogës për të kryer vrasje me pagesë dhe për të investuar brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe bizneset si “Monopol Lounge” dhe agjencinë “Elite Event” në zonën e Myslym Shyrit, pronë e Hoxhës. Sipas SPAK, zbardhja e vrasjes së Klevis Lleshit erdhi pas dekodimit të komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, i cili çoi në zbërthimin e rrjetit të vrasësve me pagesë.

Ngjarja është pjesë e një saga gjakmarrjesh mes dy fiseve nga Burreli, Lleshi dhe Hoxha, që ka nisur në vitin 2012 me vrasjen e Agim Hoxhës në Londër, për të cilën u dënua Arben Lleshi – kushëri i Klevisit. Pas kësaj ngjarjeje, Hoxhat nisën një seri hakmarrjesh: në vitin 2013 u vra i ati i Klevisit, Xhavit Lleshi, në 2016 xhaxhai i tij Hajredin Lleshi, dhe po atë vit u zhduk edhe kushëriri Artan Lleshi. Me vrasjen e Klevisit në vitin 2020 dhe të Arben Lleshit në burg në vitin 2023, saga e gjakut ka marrë përmasa të frikshme, me të paktën gjashtë viktima dhe një konflikt që ka kaluar kufijtë e Shqipërisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit