Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, pas një operacioni të koordinuar nga Interpol Tirana dhe autoritetet gjermane. Fabio Ballabani, i njohur edhe me emrin Fabio Zyberaj, 38 vjeç, akuzohet për dhunë dhe kanosje me armë ndaj shtetasit Kristaq Prifti bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollani.
Fabio Ballabani ka kërcënuar bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani, Kristaq Priftin, në vitin 2019. Ndodhi në një lokal të lagjes së tij, kur Ballabani, i maskuar dhe i paidentifikuar, iu afrua Kristaqit dhe i vendosi pistoletën në gojë, duke e kërcënuar me fjalët: "Ti me atë shkë**atën tënde, mos harro se ke dy djemtë në Francë".
Ky kërcënim ishte një pjesë e presionit të vazhdueshëm që grupi i Emiljano Shullazit kishte ushtruar ndaj gjyqtares Dollani për ta detyruar atë të tërhiqej nga një çështje e rëndësishme që po gjykonte, e cila përfshinte anëtarët e këtij grupi.
Dollani kishte refuzuar të tërhiqej dhe kishte vendosur të vazhdonte procesin gjyqësor deri në fund. Për këtë rast, ai është shpallur në kërkim dhe, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për të, për veprën penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”.
Pas ekstradimit, Ballabani iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të vijojnë procedurat ligjore ndaj tij përballë drejtësisë shqiptare.