Një organizatë kriminale shqiptare është shkatërruar nga policia greke dhe Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar, pas zbulimit të një plantacioni gjigant kanabisi.
Operacioni i zhvilluar më 25 shtator çoi në sekuestrimin e 1 ton e 161 kilogramëve kanabis të papërpunuar dhe 1,640 fidanëve, ndërsa llogaritet që grupi kishte përfituar të paktën 8 milionë euro nga aktiviteti i paligjshëm. Përmasat e sekuestrimit dhe pajisjet e përdorura tregonin qartë prodhim në shkallë industriale.
Hierarkia e grupit:
Hetimet zbuluan një strukturë të mirëorganizuar:
Kreu i bandës, 39-vjeçari Fatjon Prendi, koordinonte gjithë aktivitetin, duke gjetur klientë dhe menaxhuar fitimet.
Zëvendësi i tij, 36-vjeçari Elson Ndreca, mbikëqyrte plantacionin dhe transportin e furnizimeve.
Anëtarët e tjerë përfshinin tre gra dhe dy burra, mes tyre Brisejda Cami (35 vjeç), Pashke Gega (73 vjeç), Zoje Ndoj (35 vjeç) dhe Arben Mashi (50 vjeç), të cilët kujdeseshin për magazinimin e drogës, fshehjen e telefonave dhe transportin e drejtuesit.
Gjatë kontrolleve u gjetën edhe armë zjarri, granata, peshore elektronike dhe automjete, që tregonin shkallën e rrezikshmërisë së organizatës.
Me këtë goditje, autoritetet greke kanë shkatërruar një prej rrjeteve më të mëdha shqiptare të kanabisit në rajon, që prej vitesh kishte kthyer plantacionet ilegale në një biznes milionash.