Angli/ Vranë 23-vjeçarin shqiptar dhe shokun e tij, dënohen me 189 vite burg 5 autorët!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 27.09.2025, 09:30

Pesë persona janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe një total prej 189 vitesh burg për një sulm të përgjakshëm me thika që ndodhi më 29 qershor 2023 në Archway të Londrës, ku humbën jetën dy të rinj, përfshirë shqiptarin Klevi Shekaj, 23 vjeç, dhe Leonardo Reid, vetëm 15 vjeç. Të dënuarit janë Lorik Lupqi (21), Abel Chunda (29), Jason Furtado (28), Eden Clark (29) dhe Xavier Poponne (21), të gjithë nga zona të ndryshme të veriut të Londrës. Ata u shpallën fajtorë për vrasje të dyfishtë dhe tentativë vrasjeje, pas një procesi 15-javor në Gjykatën e Lartë të Old Bailey më 26 shtator.

Hetimet zbuluan se pesëshja kishte organizuar sulmin në mënyrë të koordinuar, pas mesazhit të dërguar nga Lupqi që njoftonte se “rivalët” (të ashtuquajtur “opps”) ishin jashtë. Brenda dy orësh, ata bënë më shumë se 50 telefonata mes tyre, para se të shfaqeshin në vendin ku të rinjtë po xhironin një videoklip muzikor. Viktimat, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me bandat, u ngatërruan gabimisht me kundërshtarët e grupit. Leonardo vdiq në vend, ndërsa Klevi ndërroi jetë në spital nga plagët e marra me thikë. Edhe një person tjetër mbeti rëndë i plagosur.

Të pandehurit do të vuajnë periudha minimale të gjata përpara se të kenë mundësi të kërkojnë lirimin me kusht: Lorik Lupqi u dënua me minimum 39 vite burg, Eden Clark dhe Abel Chunda me nga 38 vite, ndërsa Jason Furtado dhe Xavier Poponne me nga 37 vite. Poponne u dënua gjithashtu për posedim droge dhe armësh të ftohta, pasi në telefonin e tij u gjetën tekste kënge “drill” që përshkruanin në detaje ngjarjen dhe ndryshoi emrin në rrjetet sociale në “X3”, duke iu referuar numrit të viktimave të goditura. Lupqi, i cili u arratis pas sulmit në Kosovë, u ekstradua në Britani në nëntor 2024.

Në gjykatë, nënat e viktimave shprehën dhimbjen e tyre të thellë, ndërsa policia konfirmoi se autorët do të kalojnë pjesën më të madhe të jetës pas hekurave, siç meritojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit