“I pafajshëm dhe në burg”/ Arrestimi i profesorit italian në Shqipëri shkakton reagim të fortë në Itali

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.09.2025, 08:17

Një profesor i njohur italian, me reputacion ndërkombëtar, po mbahet prej më shumë se dy muajsh në burgun e Fierit, pas një aksidenti rrugor të ndodhur më 8 gusht në aksin Levan – Fier, raportojnë mediat italiane.

I arrestuari është Michele D’Angelo, 44 vjeç, profesor i biologjisë në Universitetin e Aquila-s dhe njëherësh shkencëtar me kontribute të njohura në fushën e kërkimeve biologjike.

Rasti ka ngjallur shqetësim në qarqet akademike dhe politike në Itali, duke çuar në reagimin e një grupi deputetësh italianë. Njëri prej tyre, deputeti Luciano D’Alfonso, ka kërkuar personalisht ndërhyrjen e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, për të mundësuar kthimin e profesorit në Itali, kërkesë që mbështetet gjerësisht edhe nga kolegë të tij universitarë dhe institucione akademike.

Çfarë ndodhi më 8 gusht?

Sipas mediave italiane, aksidenti ka ndodhur kur makina që drejtonte profesori italian është përplasur me një automjet tip Mercedes, në pronësi të shtetasit shqiptar E.S., i cili dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të shpejtësisë së lartë. Dëshmitarë që ndodheshin pranë vendngjarjes kanë pohuar se profesori po qarkullonte me vetëm 40 km/h, por nuk kishte mundësi të shmangte përplasjen për shkak të manovrës së papritur të automjetit tjetër.

Megjithatë, autoritetet shqiptare e kanë vënë në pranga D’Angelo-n, duke e akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor si dhe për braktisje të mjetit, një akuzë që pala italiane e kundërshton fuqishëm, duke pretenduar se ai nuk është trajtuar me drejtësi dhe proporcionalitet.

Mediat italiane po i japin jehonë të madhe këtij rasti, duke e cilësuar si një çështje që rrezikon të përshkallëzohet në një incident diplomatik, nëse autoritetet shqiptare nuk rishqyrtojnë pozicionin e tyre ndaj profesorit italian. Presioni diplomatik pritet të rritet në ditët në vijim, ndërsa institucionet italiane kërkojnë lirimin e menjëhershëm dhe kthimin në atdhe të D’Angelo-s, për të vazhduar ndjekjen e çështjes në kushte të tjera.

Aktualisht, Michele D’Angelo mbetet në paraburgim në Fier, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme procedurale dhe mundësisë së një ndërhyrjeje të nivelit të lartë diplomatik mes dy vendeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit