Një ngjarje e rëndë është regjistruar pas mesnatës në fshatin Salari të Tepelenës, ku është gjetur i vrarë me armë zjarri një shtetas italian, 44-vjeçari E.S., banues në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30, në vendin e quajtur "Dilan", një zonë e pyllëzuar mes Nivicës dhe Salarisë. Sipas informacioneve paraprake, biznesmeni po udhëtonte me automjetin e tij kur është qëlluar me armë automatike nga një person ende i paidentifikuar.
Burime bëjnë me dije se viktima ishte pronar i një fabrike tullash në Tiranë dhe jetonte prej vitesh në Shqipëri. Trupi i pajetë është gjetur në rrugë, pranë automjetit të tij, ndërsa dyshohet se sulmi ka qenë i mirëorganizuar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit dhe identifikimin e autorit/ëve.
Ndërkohë, kontrolle intensive po kryhen në zonë në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë.