Liverpool mban fjalën, jepet e gjithë kontrata prej 14 mln £ për familjen e Jotës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 26.09.2025, 19:19

Liverpool ka zgjedhur të shkruajë një kapitull të rrallë në historinë e futbollit, duke e nderuar Diogo Jotën jo vetëm si lojtar, por si njeri. Pas humbjes tragjike të sulmuesit portugez në korrik, së bashku me vëllain e tij Andre Silva, klubi ka vendosur t’i japë familjes së tij të gjithë shumën e mbetur të kontratës – plot 14.5 milionë paund.

Ky gjest, i jep një dimension krejt tjetër fjalës “respekt”. Jota, i cili kishte dy vite të mbetura nga marrëveshja që do të përfundonte në vitin 2027 dhe një pagë javore prej 140 mijë paundësh, nuk do të mbetet thjesht një kujtim në statistikat e klubit. Bashkëshortja e tij, Rute Cardoso, dhe tre fëmijët e vegjël do të marrin çdo pagesë që i takonte, sikur ai të ishte ende në fushë.

Trajneri i të kuqve, Arne Slot, nuk e fshehu emocionin:

“Ndoshta njerëzit mendojnë se kjo është normale, por nuk është. Në botën e futbollit, rrallë shihen akte të tilla. Ky vendim është i jashtëzakonshëm.”

Përveç aspektit financiar, Liverpool ka ndërmarrë edhe një veprim simbolik që mbetet në historinë e klubit: fanella me numrin 20, e mbajtur nga Jota, është tërhequr përgjithmonë. “Ai nuk ishte vetëm një futbollist i madh, por një njeri i jashtëzakonshëm”, deklaroi kryetari i klubit, Tom Werner.

Në një kohë kur futbolli shpesh kritikohet për komercializimin dhe mungesën e shpirtit njerëzor, Liverpool ka treguar se pas biznesit, pas fitimeve dhe trofeve, ekziston ende vend për dinjitet dhe humanizëm. Dhe ky është ndoshta goli më i bukur që “The Reds” kanë shënuar vitet e fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit