Një tjetër hallkë e zinxhirit kriminal që çoi në ekzekutimin e 22-vjeçarit Klevis Lleshi ka rënë në pranga. Ditën e sotme, autoritetet italiane kanë arrestuar Saimir Kolaverin, i cili ka shërbyer si ndërmjetësues mes porositësit dhe ekzekutorit të vrasjes.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Kolaveri ka bërë lidhjen mes Aurel Hoxhës alias Aurelinjo Kolaveri, i cili urdhëroi vrasjen për motive gjakmarrjeje, dhe Sahab Nuzit, që mori përsipër ta ekzekutonte kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh.
Klevis Lleshi, i riu nga Burreli, u zhduk më 5 gusht 2020, në moshën vetëm 22-vjeçare. Tre vite më pas, në shkurt 2023, erozioni në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit nxori në sipërfaqe disa eshtra të groposura. Analizat e ADN-së konfirmuan se i përkisnin të riut të zhdukur.
Pas hetimeve intensive, SPAK ka zbardhur të gjithë skemën kriminale, duke lëshuar katër urdhër-arreste. Tre prej tyre janë ekzekutuar, ndërsa Aurel Hoxha, pronar i lokalit “Monopol” në zonën e “Myslym Shyrit”, mbetet ende në arrati.
Në lokalin e tij, policia gjeti një kasafortë, për të cilën u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për ta hapur.