Gjykata e Larisës ka miratuar kërkesën për zhvarrosjen e trupit të Denis Ruçit, djalit të grevistit të urisë Pano Ruçi, në kuadër të një hetimi paraprak që do të përfshijë analiza të ADN-së dhe ekzaminime toksikologjike.
Vendimi erdhi pas presionit të familjarëve të viktimave të tragjedisë hekurudhore në Tempi, të cilët prej muajsh kërkojnë zbardhjen e plotë të shkaqeve të vdekjeve të të afërmve të tyre. Prokuroria pranoi kërkesën e paraqitur nga vetë Pano Ruçi, ndërsa paralelisht do të shqyrtohen edhe aplikime të tjera për zhvarrosje nga familjet e viktimave.
Më 25 shtator, në Gjykatën e Apelit të Larisës u dorëzua një memorandum i ri, i firmosur nga dhjetëra familjarë, ku ndër kërkesat kryesore ishte pikërisht zhvarrosja e trupit të Denis Ruçit. Ky dokument vijon atë të paraqitur më 15 shtator, duke i shtuar edhe një apel për rëndimin e akuzave ndaj drejtuesve të kompanisë Hellenic Train.
Megjithatë, për Pano Ruçin vendimi nuk është i mjaftueshëm. Në reagimin e tij pas publikimit të gjykatës, ai tha: “Kjo nuk është ajo që dua”, duke nënvizuar se do të vazhdojë grevën e urisë. Sipas tij, kërkesa e vërtetë nuk është thjesht identifikimi i trupit, por një hetim i plotë që të përcaktojë me saktësi arsyet e vdekjes së djalit.