Trump vendos në dyshim sigurinë për Botërorin 2026: ”Ndeshjet do të zhvendosen nga shtetet e rrezikshme”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 26.09.2025, 17:52

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar pas akuzave të shumtat që erdhën pas vrasjes së Kirk se Amerika nuk ishte një vend i sigurt për zhvillimin e Kupës së Botës 2026. Turneu i madh, që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Kanada dhe Meksikë, mund të ketë lëvizje surprizuese në qytetet pritëse amerikane.

Trump paralajmëroi se nëse San Francisco apo Seattle nuk garantojnë sigurinë, atëherë ndeshjet e parashikuara aty mund të zhvendosen. “Do të sigurohem që qytetet amerikane të jenë të sigurta. Nuk mund t’i lëmë ndeshjet e Botërorit në duart e radikalëve të majtë që nuk dinë çfarë po bëjnë”, deklaroi ai, duke përmendur konkretisht Levi’s Stadium në Santa Clara dhe Lumen Field në Seattle, të cilat presin nga gjashtë ndeshje secili.

Presidenti shtoi gjithashtu se edhe Çikago është nën vëzhgim, duke lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes me forca federale përpara fillimit të turneut. “Nëse një qytet nuk është i sigurt për Kupën e Botës, do ta zhvendosim në një tjetër”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Botërori i vitit 2026 pritet të jetë më i madhi në histori, me 48 skuadra pjesëmarrëse dhe qindra mijëra tifozë që do të ndjekin ndeshjet në stadiumet amerikane. Deklaratat e Trump tashmë kanë hapur diskutime jo vetëm politike, por edhe sportive, për mënyrën si do të menaxhohet siguria në qytetet pritëse të turneut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit