SPAK ka hedhur sot dritë mbi një nga ngjarjet më të errëta kriminale të viteve të fundit: vrasjen e Klevis Lleshit, të riut nga Burreli që u zhduk në vitin 2020 dhe u gjet i groposur dy vite më vonë në një fshat të Kurbinit.
Nga hetimet u arrestuan Sabah Nuzi dhe Samet Loka, ndërsa në kërkim u shpallën Aurel Hoxha alias Aurelinjo Kolaveri dhe Sajmir Kolaveri.
Pas publikimeve mediatike, është rindërtuar një histori e gjatë përplasjesh mes dy familjeve, Lleshi e Hoxha, që nisën prej Anglisë e përfunduan në masakra e hakmarrje brenda Shqipërisë.
Në vitin 2012, Agim Hoxha i përfshirë në aktivitetet e drogës në Angli u vra nga Arben Lleshi, dikur shoku i tij i ngushtë. Shkaku, sipas hetimeve, lidhej me xhelozi dhe përçarje brenda rrjetit të trafikut. Trupi i Agimit u fut në makinë dhe u dogj, ndërsa Arbeni tentoi ta paraqiste ngjarjen si përplasje mes bandave rivale.
Ky akt ndezi hakmarrjen. Vëllai i viktimës, Aureli, i betua Arbenit se “do t’i zhdukte të gjithë djemtë e familjes Lleshi”.
Spirali i dhunës:
2013: Për hakmarrje, Aurel Hoxha vrau Xhevit Lleshin.
2016: Viktimë e radhës u bë Hajredin Lleshi.
2020: Zhduket dhe më pas gjendet i vrarë Klevis Lleshi.
2023: Brenda burgut, Arben Lleshi vetë u ekzekutua nga i dënuari Sokol Mjacaj. Trupi i tij nuk u mor nga familjarët, nga frika e hakmarrjes, dhe u varros vetëm me shërbimet e bashkisë.