Sergio Busquets i jep lamtumirën futbollit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 26.09.2025, 15:03

Sergio Busquets ka njoftuar se do t’i japë fund karrierës së tij futbollistike në fund të këtij viti, duke e mbyllur aventurën e tij të fundit në MLS me Inter Miami. Mesfushori spanjoll, i cili prej më shumë se një dekade ka qenë sinonim i stabilitetit dhe inteligjencës taktike, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme.

Busquets iu bashkua Inter Miami-t në vitin 2023, pas një karriere të lavdishme me Barcelonën, ku u shndërrua në një nga figurat më emblematike të klubit. Në 16 vite me fanellën blaugrana, ai zhvilloi plot 722 ndeshje zyrtare, duke fituar një koleksion të jashtëzakonshëm trofesh: 9 tituj kampionë në La Liga, 7 Kupa Mbreti, 3 Liga të Kampionëve, 3 Superkupa Europe dhe 3 Kupa Bote për Klube.

Edhe pse nuk njihej si golashënues tipik, Busquets shënoi 11 gola në La Liga dhe shpërndau 34 asiste, duke konfirmuar edhe një herë se ndikimi i tij nuk matej me statistika, por me qetësinë, leximin e lojës dhe aftësinë për ta bërë futbollin e thjeshtë.

Për shumë tifozë, largimi i tij shënon fundin e “epokës së arit” të Barcelonës, ku krahas Messit, Xavit e Iniestës, Busquets ishte boshti që mbante gjallë stilin tiki-taka.

Në mbyllje të vitit 2025, futbolli do të humbasë një tjetër ikonë, por emri i Busquets do të mbetet përgjithmonë i gdhendur mes mesfushorëve më inteligjentë që ka njohur ky sport.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit