Universiteti i Mjekësisë, që duhet të ishte simbol i seriozitetit dhe përkujdesjes ndaj brezit të ri të infermierëve, ka dhuruar sot një tjetër shembull të degradimit dhe mungesës totale të respektit ndaj studentëve të tij. Ceremonia e diplomimit të datës 29 shtator, që do të zhvillohet në sheshin “Italia” në Tiranë, rrezikon të kthehet në një farsë, sepse institucionet përgjegjëse nuk kanë siguruar as kushtin më minimal: pelerinat për të diplomuarit.
Studentët e Infermierisë u njoftuan zyrtarisht se do të mund t’i tërhiqnin pelerinat në ditët e enjte, premte dhe të hënën. Por kur ata shkuan sot, u përballën me një të vërtetë skandaloze. Pelerinat kishin “mbaruar”. Në vend të 1500 që duhej të ishin, ishin siguruar vetëm 500, të cilat tashmë janë shpërndarë diku, pa kriter dhe me një mungesë totale transparence.
Pra, një universitet që pretendon të diplomojë 1500 studentë, organizon një ceremoni publike me familjarë, me kamera e fjalime, por nuk arrin të sigurojë as një pelerinë për secilin. Më e rënda është se sipas studentëve pelerinat nuk munguan, por iu shitën shkollave private. Në vend që të shkonin te studentët që kanë derdhur djersë në auditor, janë kthyer në mall fitimprurës për të mbushur xhepat e punonjësve të shkollës. Nëse kjo vërtetohet, atëherë kemi të bëjmë me një abuzim të pastër, me një korrupsion të shëmtuar mbi kurrizin e rinisë.
Një gjë është e qartë se studentët e Infermierisë, që janë shtylla e shëndetësisë sonë të rrënuar, janë lënë në mes të rrugës edhe në ditën e tyre më të madhe. Ata që kanë zgjedhur të rrinë në Shqipëri, në vend që të marrin valixhet e të ikin, sot trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Dhe kjo nuk është thjesht një neglizhencë, por një shuplakë e madhe ndaj gjithë brezit të ri.