FIFA ka zbuluar zyrtarisht maskotat e Kupës së Botës 2026, të cilat do të shoqërojnë turneun më të madh të futbollit. Bëhet fjalë për Clutch, shqiponjën qerose që vjen nga Shtetet e Bashkuara, drerin Maple nga Kanadaja dhe leopardin Zayu nga Meksika.
“Maple, Zayu dhe Clutch janë plot gëzim, energji dhe shpirt bashkëpunimi, njësoj si vetë Kupa e Botës FIFA”, u shpreh presidenti Gianni Infantino në një deklaratë të së enjtes.
Sipas FIFA-s, tri maskotat nuk janë thjesht personazhe, por përfaqësojnë kulturën e vendeve pritëse. “Dreri Maple është lindur për t’u endur, udhëtuar në të gjitha provincat e territoret e Kanadasë duke u lidhur me njerëzit dhe përqafuar kulturën e pasur të vendit”, theksohet në deklaratën zyrtare.
Nga ana tjetër, Zayu i xhunglave tropikale të Meksikës është simbol i pasionit dhe ngjyrave të Amerikës Latine. “Zayu përqafon kulturën meksikane përmes kërcimit, ushqimit dhe traditës duke bashkuar njerëzit përtej kufijve me pasion. Më shumë se një sportist, Zayu është një simbol i kulturës dhe lidhjes që mban me krenari zemrën e Meksikës.”
Ndërsa Clutch, shqiponja që fluturon mbi SHBA, shihet si përfaqësuese e diversitetit amerikan. Ajo “përqafon çdo kulturë, lojë dhe moment me kureshtje dhe optimizëm të pakufishëm.”
Maskotat janë menduar edhe si lojtarë të fushës: Maple mbron portën, Zayu është sulmuesi i lindur, ndërsa Clutch komandon mesfushën. FIFA thekson se ato “po vijnë së bashku për të simbolizuar unitetin, diversitetin dhe pasionin e përbashkët për lojën e bukur.”
Spektakli i madh nis më 11 qershor 2026, me ndeshjen hapëse në legjendarin “Estadio Azteca” të Meksikos, ndërsa kulmi do të jetë më 19 korrik në “MetLife Stadium” të Nju-Xhersit ku, për herë të parë, finalja do të ketë edhe një koncert në pushimin mes dy pjesëve.
Ky edicion do të jetë më i madhi ndonjëherë: 48 ekipe kombëtare, 104 ndeshje dhe një festë futbolli që do të zgjasë mbi një muaj.