Banorët e zonës pranë shkollës “Bajram Curri”, te njësia nr.4, Tiranë, po përballen me një situatë të rëndë mjedisore dhe infrastrukturore. Sipas denoncimit të bërë në redaksinë e JOQ, rrugicat e lagjes janë të mbuluara me plehra nga më të ndryshmet, duke bllokuar plotësisht kalimin për këmbësorët dhe automjetet.
“Përshëndetje, si jeni JOQ? Të lutem, më ndihmoni dot të shpreh 1 shqetësim në lagjen tonë, shkolla Bajram Curri, ish-Grumbullimi. Nuk kemi ku kalojmë në lagje kur dalim nga shtëpia, as në këmbë, as me makinë, as me motor. Është mbushur plot plehra, divane, e materiale të ndryshme. Ju lutem, në qoftë se mundeni, ta nxirrni në faqen tuaj. Rrezikohemi nga infeksionet. Ju faleminderit,” shprehen të shqetësuar banorët, të cilët ndihen të braktisur për shkak të neglizhencës së autoriteteve.
Prania e mbeturinave jo vetëm që pengon lëvizjen, por përbën edhe një rrezik serioz për shëndetin publik, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit. Banorët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet përkatëse, për të pastruar zonën dhe për të kthyer normalitetin në lagje.