SPAK ka identifikuar Aurel Hoxhën si porositësin e dyshuar të vrasjes së Klevis Lleshit nga Burreli, i zhdukur në gusht të vitit 2020 dhe gjetur i groposur në vitin 2023 në një fshat të Kurbinit. Vetëm në shkurt të vitit 2023 hetuesit arritën të hedhin gjurmë mbi zhdukjen e tij.
Aurel Hoxha, pronar i “Monopol Lounge” në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë, është një nga katër personat ndaj të cilëve Prokuroria e Posaçme ka firmosur urdhër-arrest. Deri tani, është ekzekutuar vetëm një prej këtyre urdhërave, ndërsa emri i të ndaluarit nuk është bërë ende publik nga autoritetet.
Ngjarja është pjesë e një zinxhiri të gjatë hakmarrjesh mes dy fiseve nga Burreli, Lleshi dhe Hoxha. Konflikti nisi në Britani të Madhe në vitin 2012, kur Agim Hoxha u gjet i vrarë dhe i djegur në makinën e tij. Për këtë ngjarje u dënua me 32 vite burg Arben Lleshi, mik dhe bashkëpunëtor i viktimës në Londër.
Pas kësaj, fisi Hoxha nisi një seri hakmarrjesh ndaj pjesëtarëve të familjes Lleshi. Në vitin 2013 u vra babai i Klevis Lleshit, Xhavit Lleshi, ndërsa në vitin 2016 u ekzekutua edhe xhaxhai i tij, Hajredin Lleshi. Po atë vit u zhduk edhe një kushëri i Klevisit, Artan Lleshi.
Vrasja e Klevisit, i cili u rrëmbye në gusht 2020 dhe u gjet i pajetë dy vite më vonë, shihet si hallka e fundit në këtë përplasje gjakmarrëse mes fiseve. Në vitin 2023, brenda burgut të Peqinit, u vra edhe Arben Lleshi autori i krimit të parë që ndezi ciklin e gjakut.
Hasmëria mes dy familjeve ka prodhuar të paktën gjashtë viktima në më shumë se një dekadë. SPAK dhe policia vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat, për të ndaluar personat e tjerë të përfshirë dhe për të ndërprerë një cikël gjakmarrjeje që ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe ka zgjatur në kohë.