Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur ngjarjen e rëndë të vitit 2020, ku Klevis Lleshi, 21 vjeç nga Burreli, u rrëmbye, u vra dhe u zhduk pa gjurmë. Eshtrat e tij u gjetën disa muaj më vonë në fshatin Shpërdhet të Kurbinit. SPAK ka lëshuar 4 urdhër-arreste për këtë ngjarje, ndërsa deri tani është ekzekutuar vetëm njëri.
Si urdhërues i dyshuar i krimit rezulton Aurel Hoxha, pronar i lokalit “Monopol” në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Për këtë arsye, forcat speciale RENEA zhvilluan një aksion të befasishëm në këtë zonë, në kuadër të operacionit për arrestimin e të përfshirëve. Kontrollet janë shtrirë edhe në zona të tjera si Fresku, Kamza dhe Mamurrasi.
Motive hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të Aurel Hoxhës, Agim Hoxha, në Britani në vitin 2012, dyshohet se qëndrojnë pas krimit. Familja Lleshi ka qenë në qendër të një zinxhiri vrasjesh, ku viktima të tjera përfshijnë babain, xhaxhain dhe kushëririn e Klevis Lleshit. Vrasjet lidhen me konflikte të ashpra për prishje pazari droge jashtë vendit.