“Nuk e hapa unë llogarinë false,” i riu: Si më futi në kurth ish-e fejuara me kushërirën e saj

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.09.2025, 00:09

Një i ri nga Durrësi, Xhuljan Çala, i cili aktualisht ndodhet në Greqi, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të rëndë me të cilën thotë se po përballet.

Ai tregon se ka pasur një lidhje rreth 1-vjeçare me një vajzë nga Durrësi, me të cilën u fejua para tre muajsh. Pas disa keqkuptimeve mes tyre, çifti u nda. Sipas tij, arsyeja lidhej me xhelozinë dhe akuzat e vazhdueshme të vajzës për tradhti, të cilat ai i mohon.

Pas ndarjes, sipas Xhuljanit, është hapur një llogari false në Instagram me fotot e vajzës, të shoqëruara me mbishkrime fyese. Ai thotë se vajza e ka denoncuar këtë rast në Krimin Kibernetik, duke e akuzuar atë si personin që hapi llogarinë. Por Xhuljani mohon kategorikisht, duke deklaruar se adresa është hapur nga vetë vajza në bashkëpunim me kushërirën e saj, me qëllim që ta dëmtojnë.

Në një video të dërguar në redaksinë tonë, ai shfaqet pothuajse me lot në sy dhe thekson:

“Nuk jam unë që e hapa adresën false, jam akuzuar padrejtësisht. Jam i bindur për pafajësinë time dhe kërkoj që policia ta hetojë këtë rast.”

Sipas tij, situata është rënduar edhe më tej pasi familja e tij është kërcënuar nga të afërm të vajzës. Nëna e tij, thotë ai, ka tentuar të bëjë një denoncim në Policinë e Durrësit për kërcënimet ndaj familjes dhe motrës së tij, por pretendon se denoncimi nuk është marrë në konsideratë.

Për këtë arsye, ai kërkon shpjegime nga autoritetet pse nuk po merret parasysh denoncimi i familjes së tij dhe kërkon që policia të bëjë verifikimet e nevojshme, veçanërisht pasi pretendon se llogaria është hapur nga iPadi i kushërirës së vajzës.

Megjithatë, e vërteta e ngjarjes mbetet për t’u sqaruar nga organet kompetente.

Denoncimi i tij publikohet si versioni i një pale, pa mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur nga redaksia. Për këtë arsye, JOQ Albania i lë hetimet e mëtejshme në dorë të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit