“Helmimin e fëmijëve s’ia kemi për borxh askujt”, banorët denoncojnë ‘AMA Recycling Albania’

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.09.2025, 22:56

Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania lidhur me një fabrikë të quajtur AMA Recycling Albania, e cila, sipas banorëve të fshatit Marikaj, po helmon prej vitesh banorët e zonës përmes riciklimit të plumbit dhe aluminit.

Një prej denoncuesve ka dërguar pamje të filmuara mbrëmjen e sotme, ku duken qartë shtëllungat e tymit që ngrihen në ajër nga fabrika. Në video dëgjohet teksa ai shprehet:

“Helmimin e fëmijëve nuk ua kemi për borxh askujt.”

Banorët pretendojnë se fabrika nuk ka filtra dhe se ndotja kimike e shkaktuar prej saj është bërë e padurueshme. “Nuk hapim dot dritaret e shtëpisë, era është më e rëndë se ajo e gomave të djegura. Kjo ndotje është dhjetëfish më e keqe se një metalurgjik dhe ndodh mes Tiranës e Durrësit. Imagjinoni, kjo punon natë e ditë prej mbi 10 vitesh,” – shprehet një prej tyre.

Denoncuesit tregojnë gjithashtu se kanë ngritur zërin edhe më parë, kanë protestuar para fabrikës dhe kanë njoftuar institucionet, por sipas tyre asgjë nuk është bërë: “Na thonë se do vijnë, por askush nuk reagon. Vetëm përdoren për gjoba.”

Një tjetër qytetar nga Marikaj konfirmon situatën:

“Një fabrikë në këtë zonë po lëshon çdo ditë sasi të mëdha tymi të zi dhe të dendur, i cili përhapet në ajër dhe ndot gjithë lagjen përreth. Banorët janë të detyruar ta thithin këtë ndotje, që jo vetëm prish cilësinë e jetesës, por përbën edhe rrezik për shëndetin. Kërkohet ndërhyrje sa më urgjente nga institucionet përkatëse.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit