Tan Agolli i FSHZH-së ndërton “resort luksi” me 4.6 milionë euro të shtetit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 25.09.2025, 20:16

Një projekt i ri i Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) po ngre dyshime të forta për abuzim me fondet publike. Në krye të këtij institucioni ndodhet Dritan Agolli, i cili prej kohësh është akuzuar se projektet që ai drejton ngjajnë më shumë me biznese private, sesa me investime publike.

Pas ndërtimeve në Llixhat e Bënjës, Sarandë, Vlorë, rrethinat e Tiranës apo parkun Retro në Bulqizë, Agolli ka hedhur sytë nga Divjaka. Në një zonë kodrinore të mbuluar nga ullishta, FSHZH ka hapur një tender me vlerë marramendëse prej 458 milionë lekësh (rreth 4.6 milionë euro). Objektivi zyrtar është “ndërtimi i infrastrukturës së modeleve të integruara në zona me potencial zhvillimi”, por në fakt projekti i publikuar ngjan në çdo detaj me një resort luksoz.

Sipas dokumenteve, plani parashikon një godinë dykatëshe të punuar me gur dhe dru, dhoma hoteli, bar, restorant, tarraca të gjelbëruara dhe madje edhe një pishinë të madhe panoramike. Në dokument thuhet se “pishina e integruar dhe tarracat e gjelbëruara shtojnë një prekje të qëndrueshme dhe luksoze, duke bërë këtë fermë një destinacion unik agroturistik”.

Vetë përshkrimi i projektuesve – me estetikë moderne, ambiente relaksi dhe një arkitekturë të menduar për pushime – e bën të vështirë të besohet se kemi të bëjmë thjesht me një “fermë të dijes dhe agroturizmit të ullishtave”.

Ndërkohë, ngjashmëria me idenë e biznesmenit Behgjet Pacolli, i cili prezantoi pak kohë më parë një masterplan gjigant për Divjakën, nuk ka kaluar pa u vënë re. I vetmi ndryshim është se, ndryshe nga Pacolli që investon privatisht, Agolli po e bën këtë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Dilema e madhe mbetet: kush do ta menaxhojë këtë resort me miliona euro, që në letër quhet “fermë agroturistike”, por në praktikë ka çdo element të një hoteli luksoz?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit