“Është për sigurinë e fëmijëve tanë”, banorët kundër vendosjes së antenave 5G pranë banesave të tyre

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.09.2025, 19:06

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorët e pallateve pranë Rrugës së Kosovareve në Tiranë. Ata shprehen të alarmuar për përgatitjet që po bëhen për vendosjen e tre antenave 5G mbi fushat e futbollit të zonës, vetëm pak metra larg banesave të tyre.

Sipas tyre, ky projekt rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e komunitetit, pasi antenat janë planifikuar të instalohen pranë apartamenteve dhe mbi hapësira sportive ku fëmijët e të rinjtë luajnë çdo ditë.

Një prej banorëve ka dërguar edhe një video në redaksinë tonë, ku thekson:

“Përshëndetje! Sot dua të flas për një shqetësim serioz që prek të gjithë banorët e kësaj zone. Pikërisht këtu, përballë shtëpive tona dhe mbi fushën e futbollit ku luajnë fëmijët çdo ditë, është parashikuar vendosja e disa antenave 5G. Siç mund ta shikoni edhe kabllon që shkon këtu, antenat do të jenë vetëm pak larg banesave dhe fëmijëve tanë. Çdo familje do të ekspozohet 24 orë në ditë ndaj rrezeve elektromagnetike, për të cilat bota ende ka debate dhe studime mbi pasojat afatgjata në shëndet. Ne nuk jemi kundër teknologjisë, por vendosja e këtyre antenave duhet të bëhet larg zonave të banuara, larg shkollave dhe fushave sportive. Kemi bërë peticion me gati 200-300 firma dhe ia kemi dërguar të gjitha institucioneve. Ju si mendoni, a duhet të vendosen këto kaq pranë banesave tona dhe aty ku fëmijët luajnë çdo ditë?!”

Banorët: Vendosja është e paligjshme dhe e rrezikshme

Përveç shqetësimit për shëndetin, banorët theksojnë se antenat po vendosen pa leje ndërtimi dhe pa miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke e bërë gjithë procesin tërësisht të paligjshëm. Ata paralajmërojnë se instalimi i tre aparateve përcuese në të trija shtyllat e fushës do të ekspozojë jo vetëm pallatet përreth, por edhe dhjetëra të tjera banesa në zonë.

Në përfundim, ata kërkojnë që institucionet përkatëse të ndalojnë menjëherë këtë projekt dhe të gjejnë një vend alternativ, larg zonave të banuara dhe hapësirave ku mblidhen fëmijë e të rinj.

Më poshtë publikojmë deklaratën e plotë të banorëve, të cilën ata e kanë përpiluar dhe nënshkruar kolektivisht:

Deklaratë e Banorëve

Ne, banorët e dhjetëra pallateve pranë Rrugës së Kosovareve, shprehim shqetësimin tonë të madh për përgatitjet që po bëhen për vendosjen e tre antenave 5G mbi fushat e futbollit në këtë zonë. Vendosja e tyre është parashikuar shumë afër banesave tona dhe mbi një hapësirë sportive ku fëmijët dhe të rinjtë zhvillojnë aktivitete çdo ditë, gjë që e konsiderojmë të papranueshme dhe të pashembullt në vende të tjera.

Së pari, afërsia me zonat e banuara përbën rrezik serioz për shëndetin tonë. Banorët do të ekspozohen 24 orë në ditë ndaj rrezeve elektromagnetike, për të cilat ende ka shumë debate dhe studime në botë mbi ndikimin afatgjatë në shëndet. Vendosja e antenave duhet të respektojë distanca sigurie nga banesat, gjë që në këtë rast po injorohet plotësisht.

Së dyti, është e papranueshme që antenat të vendosen mbi fusha futbolli ku fëmijët zhvillojnë aktivitete sportive çdo ditë. Asnjë vend tjetër nuk lejon instalimin e tillë kaq pranë hapësirave ku mblidhen fëmijë e të rinj, për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm. Kushdo që po i instalon antenat duhet të zgjedhë hapësirat e veta, siç është godina e tyre, e jo t’i vendosë përpara pallateve dhe mbi hapësira sportive.

Gjithashtu, theksojmë se këto antena po vendosen pa asnjë leje ndërtimi dhe pa miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë, gjë që e bën procesin tërësisht të paligjshëm. Për më tepër, parashikohet instalimi i tre aparateve përcuese në të trija shtyllat e fushës, duke ekspozuar jo vetëm pallatet përreth, por edhe dhjetëra të tjera banesa në zonë.

Ne, si komunitet banorësh, jemi të bashkuar kundër vendosjes së këtyre antenave në këtë zonë. Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse dhe nga Federata të gjejnë një vend alternativ që nuk rrezikon shëndetin dhe jetën e banorëve dhe fëmijëve tanë.

Është për sigurinë e fëmijëve tanë.

Faleminderit shumë për shërbimin tuaj ndaj qytetarëve!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit