Durrësi nuk ka gjetur qetësi mbrëmjen e djeshme, ku pak para zbulimit të vrasjes me thikë të 51-vjeçarit Valbon Beqiraj në lagjen nr.12, një tjetër ngjarje e rëndë është shmangur në rrugën “Vala e Detit”, ku një person u tentua të vritej duke u përplasur me makinë.
Sipas asaj që thotë Policia, Azem Koldashi alias Besnik Koldashi, 55 vjeç, banues në Durrës është përplasur me makinë dhe ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:54.
Dyshohet se 55-vjeçari është goditur me makinë qëllimisht, për t’u vrarë, teksa autori është arratisur pasi e ka goditur. Ky i fundit është identifikuar si Abdyl Bodlli, 40 vjeç, banues në Shijak, i cili e ka përplasur Azem alias Besnik Koldashin me një automjet tip “Mercedes Benz”.
Autoritetet policore raportojnë se 40-vjeçari është shpallur në kërkim, teksa nuk është gjetur as automjeti i tij.
Ndërkohë, bëhet me dije se shtetasi Azem alias Besnik Koldashi, është transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të plagëve të marra.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë.