Serbia po e ndien gjithnjë e më shumë presionin përpara supersfidës me Kombëtaren shqiptare, më 11 tetor, në eliminatoret e Botërorit 2026. Objektivi i saj për të parakaluar kuqezinjtë në renditjen e grupit K duket gjithnjë e më i vështirë, ndërsa lajmet nga kampi serb nuk janë aspak inkurajuese.
Trajneri Dragan Stojkoviç do të përballet me mungesa të sigurta të dy titullarëve, Nikola Milenkoviç dhe Saša Lukiç, të cilët do të vuajnë skualifikimin prej kartonëve. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe mbrojtësi i Lajpcigut, Kosta Nedjelkoviç, rrezikon të mos jetë i gatshëm për shkak të një dëmtimi fizik, duke e çuar në tre numrin e mungesave serioze në repartet bazë të skuadrës.
Mediat serbe shkruajnë se “Piksi” është duke shqyrtuar alternativa të reja për të plotësuar boshllëqet, mes tyre edhe emra të rinj që kanë filluar të spikasin në futbollin europian, si Aleksandër Stankoviç, djali i legjendës Dejan Stankoviç, dhe sulmuesi Andrej Iliç. Ky infuzion i brezit të ri shihet si një zgjidhje emergjente, por njëkohësisht edhe një bast i madh në një sfidë me peshë kaq të rëndë.
Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, që pritet të jetë vendimtare për pozitat në grup dhe garën për një biletë drejt Botërorit, do të luhet në stadiumin “Duboçiça” të Leskovacit. Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë, jo vetëm për rivalitetin historik, por edhe për faktin se të dyja skuadrat janë në një duel të drejtpërdrejtë për vendin e dytë.
Kuqezinjtë vijnë me moral të lartë pas rezultateve të fundit, ndërsa Serbia, e goditur nga mungesat, duket se ka hyrë në një fazë të vërtetë paniku.