Emili 10-vjeçarja shqiptare boton librin e saj të parë në Amerikë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 25.09.2025, 16:25

Një histori frymëzuese vjen nga Florida e Shteteve të Bashkuara, ku një vajzë shqiptare vetëm 10 vjeç ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Emili Shkulaku, me rrënjë nga Shqipëria dhe Kosova, ka botuar librin e saj të parë me titullin Tregimet e natës, një vëllim me afro 300 faqe.

Ky botim e bën Emilin jo vetëm autoren më të re mes bashkëmoshatarëve të saj, por edhe studenten e parë në shkollën ku ajo ndjek mësimet që arrin të botojë një libër, një arritje që ka ngjallur admirimin e mësuesve, familjes dhe bashkëmoshatarëve.

“Tregimet e natës” përmbledh histori të shkruara me imagjinatë dhe ndjeshmëri, të cilat janë të përshtatshme për lexues nga mosha 8 deri në 16 vjeç. Ato bartin mesazhe mbi miqësinë, guximin dhe ëndrrat, duke e bërë librin të dashur për fëmijët e vegjël, por edhe për adoleshentët.

Gjithçka nisi nga mendimi se shumë baballarë mund t’i lexonin fëmijëve të tyre përralla dhe tregime njëjtë siç bënte babai i saj. Kështu Emili nisi të shkruante tregimet e saj në kompjuter deri sa i përfundoi. Disa nga tregimet e librit të saj janë “Jeta e mirë”, “Brirët e Drerit”, “Vështrimi i Kukullës”, “Planet e Këqija mbi Univers”, “Dyshemeja e Dhisë”, “Çanta e Insekteve”.

Sot, libri i Emilit është i disponueshëm në Amazon, ku mund të blihet jo vetëm në SHBA, por edhe në Gjermani, Angli, Emiratet e Bashkuara Arabe, Australi, Itali dhe disa vende të tjera. Ky fakt tregon se zëri i një vajze të vogël shqiptare ka arritur të prekë lexues nga kontinente të ndryshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit