Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e djeshme qytetin e Durrësit, ku 51-vjeçari Valbon Beqiraj u gjet i pajetë në banesën e tij në lagjen nr.12, me plagë të shumta nga thika. Policia ka arrestuar Teilor Tivarin, 28 vjeç, i cili rezulton të jetë autori i dyshuar i krimit dhe ka pranuar përgjegjësinë në dëshminë e tij para hetuesve.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ndodhi gjatë një feste të organizuar në banesën e një të afërmeje të viktimës, e cila jetonte jashtë Shqipërisë. Tivari, kamarier në një hotel lokal dhe shok i viktimës, kishte shkuar në banesë për të marrë lëndë narkotike kokainë, të cilën sipas hetimeve, e merrte herë pas here falas nga Beqiraj. Një konflikt me origjinë sentimentale mes tyre përshkallëzoi në përplasje fizike, që përfundoi tragjikisht.
"Me 51-vjecarin njiheshim, ishim miq. Më thirri në banesën e tij dhe shkova për të pirë një gotë birrë. Pas bisedës 51-vjeçari tentoi të në përdhunonte. Tentova të mbrohesha, ai ishte më i fuqishëm se unë, i shpëtova, mora thikën e bukës dhe e qëllova. U përleshëm me njëri-tjetrin sepse nuk më lejonte të largohesha. Jam larguar i tronditur nga vendi i ngjarjes, nuk e mendoja se ai do të vdiste," tha Tivari.
Në dëshminë e tij, Tivari ka rrëfyer se gjatë sherrit kishte përdorur një thikë që e kishte gjetur rrugës për të goditur disa herë viktimën, i cili sipas tij e kishte goditur dhe kafshuar gjatë përleshjes. Trupi i Beqirajt u gjet në gjendje të rëndë, vetëm me mbathje, në ambientet e shtëpisë, ndërsa mendohet se të pranishmit në festë kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Autoritetet kanë konfirmuar se Teilor Tivari ka precedentë penalë të mëparshëm, përfshirë një rast të plagosjes së rëndë me dashje.