Ish-deputeti demokrat Qani Xhafa, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me një gjobë prej 900 mijë lekësh, ka kërkuar ndryshimin e masës ndëshkuese duke deklaruar se nuk ka mundësi ekonomike për ta paguar.
Mediat raportojnë se në seancën e sotme, avokati i Xhafës i kërkoi Apelit të Posaçëm që gjykata ta zëvendësojë gjobën me një dënim më të butë, përkatësisht me kusht.
Dosja ndaj ish-deputetit u hap pas një aksidenti të ndodhur në Elbasan, ku Xhafa ishte duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Për këtë ngjarje, prokurori i posaçëm Sotir Kllapi kishte kërkuar fillimisht 6 muaj burg.
Vendimi i parë, i dhënë në qershor, e dënoi atë vetëm me gjobë, por Xhafa e apeloi, duke pretenduar pamundësi financiare. Seanca e sotme në Apel nuk solli një vendim përfundimtar, pasi gjykata vendosi ta shtyjë për një datë tjetër.