Policia e Durrësit ka arrestuar Tejlor Tivarin, i dyshuari kryesor për vrasjen e 51-vjeçarit Valbon Beqiraj, i cili u gjet i pajetë në banesën e tij me disa plagë nga thika.
Sipas hetimeve, Tivari, shok i viktimës dhe kamarier në një hotel të qytetit, furnizohej herë pas here me lëndë narkotike kokainë nga Beqiraj, të cilën e merrte pa pagesë. Në momentin e ngjarjes, Tivari kishte shkuar në shtëpinë ku qëndronte Beqiraj për të marrë sërish lëndën narkotike, por një konflikt me origjinë sentimentale mes tyre çoi në një përplasje fizike dhe përdorimin e thikës.
Në dëshminë e dhënë për policinë, Tivari ka pranuar se gjatë debatit dhe përleshjes, ka përdorur një thikë që e kishte gjetur rrugës për të goditur disa herë viktimën. Ai ka treguar gjithashtu se Beqiraj e ka goditur dhe kafshuar gjatë përplasjes. Viktima u gjet në banesë me disa plagë në trup, duke qenë i veshur vetëm me mbathje.
Nga verifikimet rezulton se Tivari ka qenë më parë i arrestuar për plagosje të rëndë me dashje. Ai ka pranuar përgjegjësinë për vrasjen, ndërsa pritet që në ditët në vijim të përballet me gjykatën e Durrësit për masën e sigurisë “arrest në burg”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes së rëndë që tronditi komunitetin lokal.