Një investigim i publikuar në gazetën italiane Domani, nën autorësinë e gazetarit Nello Trocchia, ka hedhur dritë mbi një takim të fshehtë të zhvilluar në janar të vitit 2019 në ishullin Aruba, pjesë e Antileve Holandeze. Sipas dokumenteve të siguruara nga hetuesit italianë dhe gjermanë, në këtë mbledhje ishin të pranishëm figura të rëndësishme të krimit të organizuar shqiptar, si dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare në detyrë, të afërt me kryeministrin Edi Rama.
Hetuesit theksojnë se në këtë takim është diskutuar një marrëveshje për ndërtimin e një kulle në Tiranë, në një truall që rezulton të jetë në pronësi të grupeve kriminale. Për realizimin e këtij investimi të dyshimtë, ishte e nevojshme mbështetja dhe miratimi nga nivele të larta të qeverisë shqiptare, të cilët sipas përgjimeve ishin të pranishëm në Aruba dhe diskutonin për ndarjen e përfitimeve. Pjesëmarrja e tyre është konfirmuar jo vetëm nga përgjimet telefonike, por edhe nga burime të policisë gjermane.
Në qendër të këtij rrjeti që lidh botën e krimit me politikën qëndron Artur Shehu, një personazh i njohur në qarqet kriminale dhe sipërmarrëse, me bazë në SHBA dhe Shqipëri. Ai përshkruhet nga hetuesit si “kreu i një organizate të fuqishme kriminale shqiptare”, që ka ndërtuar perandori ekonomike përmes pastrimit të parave. Pikërisht Shehu, në bashkëpunim me njerëzit e afërt të qeverisë Rama, ka marrë pjesë në takimin në Karaibe, ku u përcaktuan hapat konkretë për investimet e ardhshme.
Hetimi thekson gjithashtu se falë mungesës së kontrolleve financiare në Shqipëri, Shehu ka arritur të ndërtojë një perandori ndërtimi dhe investimesh në Vlorë dhe Itali, duke përdorur kredi që i shërbejnë si mekanizëm për pastrim parash. Pikërisht për këtë arsye, të tillë persona cilësohen si “Të Pathyeshmit”.