Bankers Petroleum, kompania që menaxhon fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, pritet të ndryshojë pronar. Burime nga tregu energjetik bëjnë të ditur se grupi “Thirty Five”, i drejtuar nga Khalid bin Mohammad Al Attiyah, anëtar i familjes mbretërore të Katarit dhe ish-zëvendëskryeministër, po zhvillon bisedime të avancuara për të blerë paketën shumicë të aksioneve.
Negociatat janë në fazën përfundimtare, por marrëveshja përfundimtare ende nuk është nënshkruar. Arsyeja kryesore lidhet me detyrimin që aksionerët kinezë duhet të shlyejnë nga një proces arbitrazhi, si dhe me miratimin e qeverisë shqiptare për zgjatjen e koncesionit që aktualisht përfundon në vitin 2029.
Sipas burimeve, pas blerjes së shumicës së aksioneve, Al Attiyah pritet të marrë edhe vendimmarrjen e plotë të kompanisë. Kinezët do të mbajnë një rol teknik për një periudhë tranzitore, por nuk përjashtohet që në një moment të largohen përfundimisht nga Bankers Petroleum.
Këto zhvillime vijnë pas goditjes ligjore që kompania ka marrë muajt e fundit. Prokuroria e Fierit ka arrestuar drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Hongping Xiao, dhe ish-drejtorin shqiptar Leonidha Çobo, me akuza për mashtrim dhe evazion fiskal.
Pas arrestimeve, kryeministri Edi Rama u shpreh se hetimet duhet të shkojnë deri në fund: “Shyqyr që ka ardhur dita që prokuroria investigon në mënyrë të pavarur. Uroj t’i nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje,” deklaroi ai.