Një megaoperacion antidrogë i zhvilluar nga karabinierët italianë ka çuar në shkatërrimin e tre grupeve kriminale që merreshin me trafik ndërkombëtar droge. Aksioni, i koduar “Fingerprint” , u zhvillua nën drejtimin e Drejtorisë Anti-Mafia të Qarkut të Firences (DDA) dhe mbuloi një periudhë hetimi nga viti 2020 deri në vitin 2023.
Në total, u lëshuan 12 urdhër-arreste dhe u kryen 20 kontrolle, ndërsa Policia shqiptare njoftoi dje për kapjen në Portëz të Fierit të një prej personave më të rëndësishëm të organizatës. Ai është 41-vjeçari Edi (Edison) Hoxha, i kërkuar nga autoritetet italiane, i dyshuar si drejtues i njërës prej celulave më të fuqishme të trafikut. Mes të arrestuarve gjendet edhe një grua, pjesë aktive e strukturës kriminale.
Operacioni u zhvillua njëkohësisht në dhjetë provinca italiane, me mbi 100 efektivë dhe njësitë speciale me qen antidrogë të përfshirë. Hetimi nisi në zonën e Mugellos dhe zbuloi aktivitetin e tre celulave të ndara, por të lidhura ngushtë mes tyre, të gjitha me në krye shtetas shqiptarë.
Sipas autoriteteve, grupet vepronin në disa fronte:
Një celulë shqiptare merrej me importimin e kokainës nga Holanda dhe shpërndarjen me shumicë në Itali.
Një tjetër grup trafikonte kokainë nga Firence drejt Zvicrës, duke e shitur më pas me pakicë, së bashku me hashash e marijuanë, kryesisht në kantonin e Zyrihut dhe në disa provinca të Toskanës.
Organizata e tretë, e cila kishte lindur nga ndarja e së parës, përbëhej plotësisht nga shtetas shqiptarë (mes tyre edhe një grua) dhe merrej me importimin e sasive të mëdha të kanabisit nga Zvicra për tregun italian.
Bilanci i operacionit përfshin sekuestrimin e 2 kilogramëve kokainë, 22 kilogramëve marijuanë dhe rreth gjysmë kilogrami hashash. Përveç 12 urdhër-arresteve të lëshuara, gjatë aksionit u prangosën edhe 4 persona të tjerë.