Ish-deputeti demokrat Qani Xhafa ka kërkuar ndryshimin e dënimit me gjobë prej 900 mijë lekësh, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë për aksidentin që shkaktoi dy vite më parë në Elbasan, duke qenë në gjendje të dehur. Pas dënimit në qershor, Xhafa e apeloi vendimin dhe gjatë seancës së fundit, Gjykata e Apelit e shtyu marrjen e vendimit.
Në kërkesën e tij, Xhafa ka pretenduar mungesë të të ardhurave dhe pamundësi financiare për të paguar gjobën, ndërsa avokati i tij ka kërkuar që dënimi të zëvendësohet me një dënim me kusht. Aksidenti ndodhi më 13 mars 2023, kur Xhafa, i dehur, përplasi një qytetar në rrugët e Elbasanit. Ai u arrestua menjëherë pas ngjarjes, por u lirua të nesërmen.
Pas marrjes në dorë të dosjes nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), hetimet po vijojnë nga SPAK, pasi më parë ishin kryer nga një prokurori jo kompetente. Për këtë vepër, prokuroria kërkon 6 muaj burg për ish-deputetin. Në kohën e aksidentit, Qani Xhafa ishte kandidatë për deputet.
Më pas u bë pjesë e Kuvendit si deputet i Partisë Demokratike, pas largimit të Luciano Boçit për të kandiduar për kryetar bashkie në Elbasan.