Shqipëria nën kërcënimin e ndotjes toksike, zona të tëra në rrezik të përhershëm

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.09.2025, 08:37

Shqipëria vijon të përballet me pasojat e një trashëgimie të rëndë ndotjeje nga dekada të tëra aktivitetesh industriale, minerare dhe bujqësore, ku janë depozituar kimikate të rrezikshme dhe metale të rënda. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Plani Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020–2035, në vend janë identifikuar dhjetëra “pika të nxehta” që përbëjnë rrezik të madh për mjedisin dhe shëndetin publik.

Një nga zonat më të ndotura mbetet kompleksi metalurgjik në Elbasan, ku janë grumbulluar mbi 1.5 deri në 2 milionë ton mbetje nga përpunimi i ferronikelit dhe ferrokromit, duke ndotur ndjeshëm lumin Shkumbin. Po në Elbasan, zona e Balëzit përmban mbetje të rrezikshme kimike si dikloremetan, arsenik dhe nitrate, ku megjithëse një pjesë është eksportuar për asgjësim, ende mbeten depozita të pasigurta.

Industria e bakrit ka lënë pasoja të rënda në zona si Rrëshen, Kurbnesh, Rubik, Fushë Arrëz dhe Gjegjan, ku përqendrimet e larta të arsenikut dhe metaleve të rënda ndotin lumenjtë Mat, Fan, Drin e Osum, duke rrezikuar tokat bujqësore dhe ujin e pijshëm. Gjegjani cilësohet si një nga zonat më të ndotura në vend.

Rrethi i Pogradecit, përfshirë zonat përreth liqenit të Ohrit, përballet me ndotje nga mbetjet e ferronikelit të minierave të Përrenjasit dhe Gurit të Kuq, ndërsa në Rehovë, në kufi me Greqinë, ndotja nga industria e bakrit ka dëmtuar rëndë bimësinë dhe tokën.

Në zonën e Patos-Marinzës, si dhe në Ballsh e Kuçovë, industria e naftës ka shkaktuar ndotje të ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, me përhapje të hidrokarbureve dhe gazrave toksikë që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e banorëve. Ujërat e ndotur kanë prekur edhe lumin Gjanica.

Në Fier, ish-Uzina e Azotikut ka lënë pas sasi të konsiderueshme solucione të ndotura, ndërsa në magazinat e vjetra vijojnë të ruhen mbi 93 mijë kilogramë kimikate, duke paraqitur një rrezik të vazhdueshëm për mjedisin përreth.

Porto Romano në Durrës, një zonë problematike që nga vitet ’90, mbetet e ndotur me substanca shumë të rrezikshme si hekzaklorociklohekzani dhe kromi (VI). Pavarësisht fushatave të pastrimit me mbështetje ndërkombëtare, ndotja nuk është eliminuar plotësisht.

Një tjetër zonë alarmante është stacioni hekurudhor i Bajzës në Shkodër, ku në vitet ’90 janë depozituar mbi 80 ton mbetje kimike të importuara nga Gjermania, një pjesë e të cilave ende nuk janë trajtuar.

Laçi, Lushnja dhe Vlora raportohen gjithashtu me ndotje të lartë nga mbetje industriale si superfosfati, PVC-ja dhe metalet e rënda, duke ndikuar negativisht në cilësinë e tokës dhe ujërave në këto zona.

Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se këto zona përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për ekosistemet dhe shëndetin publik. Kimikatet e depozituara për vite me radhë nuk janë asgjësuar ose neutralizuar plotësisht, ndërsa pastrimi dhe rehabilitimi i tyre kërkon fonde të mëdha dhe një strategji të qëndrueshme afatgjatë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit