Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit, ku një person ka humbur jetën nga goditja me thikë. Viktima është identifikuar si Valbon Beqiraj, 51 vjeç, i cili u gjet i vdekur nga nipi i tij në banesën e tij, në katin e katërt të një pallati në lagjen nr. 12. Ky i fundit ishte ai që ka njoftuar policinë për ngjarjen e rëndë.
Sipas hetimeve të para, dyshohet se viktima ka humbur jetën nga plagët e shkaktuara nga një thikë, pasi nuk ka pasur shenja të një vdekjeje natyrale. Beqiraj nuk ka precedentë penalë dhe dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me motive të tjera. Grupi hetimor ka analizuar kamerat e sigurisë në zonë dhe ka arritur të identifikojë autorin e mundshëm të krimit, për të cilin janë duke u ndërmarrë hetime.
Nga ekspertiza mjekoligjore, ka rezultuar se 51-vjeçari kishte shenja dhune në trup si edhe plagët të shkaktuara me mjetin prerës, si pasojë e të cilave dyshohet se ka humbur jetën. 51-vjeçari përdorte edhe një emër tjetër, Marko Beqiraj. Ai ishte i martuar dhe baba i një djali 12-vjeç.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe motiveve që çuan në vrasjen e 51-vjeçarit. Po ashtu, janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, përfshirë banorë të pallatit, që mund të kenë informacion për ngjarjen.
![]()