Një sulm me dron i nisur nga Jemeni ka goditur qytetin turistik Eilat, në brigjet e Detit të Kuq, duke plagosur të paktën 20 persona, mes tyre dy me dëmtime të rënda në gjymtyrë.
Sipas ushtrisë izraelite (IDF), droni u lëshua nga rebelët Houthi dhe arriti të godasë qytetin pavarësisht përpjekjeve për ta rrëzuar. Shërbimi i urgjencës Magen David Adom njoftoi se të plagosurit u dërguan në spitalin Yoseftal.
Pamjet e transmetuara nga televizionet izraelite tregojnë momente të shpërthimit dhe tymit që ngrihej mbi zonë. Në rrjete sociale qarkullojnë video ku droni shihet duke rënë pas disa ndërtesave, pak para se të shpërthente.
Zëdhënësi i Houthive, Yahya Sarea, deklaroi se dy dronë kishin si objektiv “dy caqe armike izraelite” dhe e quajti operacionin “të suksesshëm”.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se kushdo që dëmton Izraelin “do të dëmtohet shtatëfish”.
Ky është një nga sulmet më të rënda të Houthive ndaj Izraelit në aspektin e dëmeve të shkaktuara. Në korrik 2024, një person u vra dhe 10 të tjerë u plagosën nga një dron që goditi Tel Avivin pranë ambasadës amerikane.
Eilat është goditur disa herë javët e fundit nga dronët Houthi, duke përfshirë edhe një sulm në zonën e hoteleve dhe një tjetër në aeroportin Ramon. Grupi rebel, i mbështetur nga Irani, thotë se këto sulme janë “në solidaritet me Palestinën” në luftën Izrael–Hamas.
Ndërkohë, Izraeli ka reaguar duke bombarduar zona të kontrolluara nga Houthit në Jemen, ku muajt e fundit janë raportuar dhjetëra viktima.