Në zemër të Shkodrës ka nisur zyrtarisht projekti më i debatueshëm i viteve të fundit: ndërtimi i një kulle 35-katëshe në qendër të qytetit. Vetëm një vit më parë, qytetarë të shumtë dolën në protestë për të kundërshtuar ndërtimin, duke menduar se presioni publik do ta ndalte këtë proces. Por tre ditë më parë, kompania kontraktuese vendosi tabelën e punimeve, duke shpallur nisjen e projektit gjigant, i cili sipas planit do të zgjasë 84 muaj.
Kulla, e pagëzuar si “Hotel Rozafa Tower”, do të ndërtohet nga kompania “Uldedaj Group”, në hapësirën aktuale të hotel Rozafës, duke iu shtuar godinës ekzistuese, por me përmasa shumëfish më të larta. Objekti pritet të ngrihet përballë pedonales dhe zonës historike të qytetit, një zhvillim që ka nxitur reagime të ashpra nga urbanistë dhe aktivistë lokalë.
Urbanistët theksojnë se një ndërtesë e tillë nuk përshtatet me karakterin urban dhe arkitekturën e Shkodrës. “Vjen si shkak i një ligji të porositur. Është një histori ose një njollë e dëmshme e qytetit tonë, që do të sjellë dëme të pashlyeshme në vitet në vazhdim. Mund të themi që është një mish i huaj për Shkodrën, sepse Shkodra është një qytet linear, i shtrirë horizontalisht dhe jo vertikalisht,” shprehen ata.
Sipas tyre, Bashkia e Shkodrës nuk ka mbrojtur interesat e qytetarëve duke shmangur përgjegjësinë.
Edhe një aktivist shkodran ka reaguar ashpër, duke e cilësuar kullën si një projekt të papërshtatshëm që do të rëndojë jetën e qytetit. “KKRT-ja merr vendime nga Tirana për jetën e qytetarëve në Shkodër, pa i pyetur aspak ata. Jemi shumë të revoltuar. Për më tepër, në të dhënat e QKB-së, financat e kompanisë nuk e justifikojnë një ndërtim të kësaj shkalle. Kjo duhet të jetë një indicie për organet e drejtësisë që të veprojnë,” tha ai.
Ai shtoi se një ndërtim i tillë do të ndikojë drejtpërdrejt në shtimin e trafikut në qendër të qytetit, duke e rënduar edhe më shumë situatën e përditshme të banorëve.
Tabela e vendosur tashmë në qendër të Shkodrës paralajmëron fillimin e punimeve, ndërsa pritet që shumë shpejt të shfaqen fadromat për nisjen e fazës së parë të projektit.
Ndërkohë, shoqëria civile dhe ekspertët e urbanistikës thonë se ende nuk është vonë për të ngritur zërin kundër këtij ndërtimi, i cili pritet të ndryshojë përgjithmonë pamjen urbane të qytetit verior.