Ky është rasti i radhës i shoferëve të paduruar që denoncohet nga qytetarët në redaksinë e JOQ Albania, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në një kohë kur shumë shoferë përballen me trafikun e rënduar të Tiranës, i cili i detyron që të qëndrojnë të bllokuar për minuta të tëra, disa shoferë zgjedhin të shkelin rregullat dhe të bëjnë parakalime të ndaluara.
Njëjtë ka ndodhur në këtë rast në daljen e Unazës së Re në Selitë. Në pamjet që një qytetare ka dërguar, shihet se si shoferi i një makine tenton të futet pa radhë, por rruga i bllokohet nga një furgon.
Në këtë moment qytetarja e nervozuar nga ky fenomen që mund të pagëzohet si “padurim” nuk e shpreh entuziazmin, kur thotë: “O çe hëngre, si trimat e ke ngrënë!”
Ajo kërkon që ky rast të bëhet publik, si një thirrje për shoferët e tjerë, që të jenë të duruar dhe të respektojnë ata që presin në trafik, pasi askush nuk ka kohë për të humbur.
“Përshëndetje JOQ, ne rrimë nga 20 min në varg për të dalë në autostradë të Unazës së Re për në Selitë, vijnë këta të fortit futen kështu. A është normale kjo gjë?,” shkruan ajo.
Shpesh në raste të ngjashme shoferët e bllokuar mbesin komplet jashtë korsisë së ndarë me kona, duke u shëndruar në një burim aksidenti për automjetet që duan të vijojnë rrugën në Unazë, përveçse krijojnë dhe vështirësi në qarkullim.