Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka përjetuar një rritje të ndjeshme të çmimeve gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.
Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë, çmimet e apartamenteve në rang vendi janë rritur me 41.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja më e fortë e çmimeve është regjistruar në qytetet bregdetare, ku apartamentet kanë kaluar edhe nivelin e çmimeve në Tiranë, që tradicionalisht ka qenë tregu më i shtrenjtë. Në kryeqytet, rritja është vlerësuar në 32%.
Megjithëse sipërfaqja e ndërtuar ka rënë lehtë, kërkesa për banesa ka mbetur e qëndrueshme, ndërsa numri i pronave të pashitura ka shënuar ulje, sipas Bankës Qendrore. Megjithatë, koha mesatare për shitje është zgjatur, duke arritur në të paktën 12 muaj në Tiranë.
Në janar-qershor 2025, qytetarët shqiptare morën 362 milionë euro kredi për blerje banese, një rritje prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kreditë bankare mbeten burimi kryesor i financimit për blerje prone.
Ndërkohë, është vërejtur një ulje e lehtë e pjesëmarrjes së shtetasve të huaj në treg, me blerjet e tyre që kanë rënë nën 20%, sipas të dhënave zyrtare.
Sipas NAREA (Shoqata Kombëtare e Agjentëve të Pasurive të Paluajtshme), mbi 60% e agjentëve raportojnë se kanë realizuar shitje nën çmimin fillestar të kërkuar nga shitësit. Në rreth 2/3 e rasteve, çmimi është ulur me 5-20% përpara finalizimit të kontratës.
Ndërkohë që çmimet në treg kanë shënuar rritje të fortë, kostot e ndërtimit janë rritur me ritme më të moderuara. Agjentët theksojnë se oferta e kufizuar dhe kërkesa e qëndrueshme, veçanërisht nga blerës të interesuar për investime, kanë ndikuar në këtë ecuri të tregut.