Ndërsa institucionet shpesh i lënë në harresë, ndërsa puna humane e tyre shpërblehet pak ose aspak dhe mbi ta rëndojnë gjithnjë dyshimet e qytetarëve, disa zjarrfikës tregojnë çdo ditë se nuk janë thjesht në shërbim të profesionit, por mbi të gjitha të misionit njerëzor.
Një qytetar ka ndarë me redaksinë tonë një video prekëse, ku shihet një zjarrfikës i Tiranës teksa ngjitet në lartësi për të shpëtuar një kotele të vogël. Kafsha kishte rënë nga një ballkon dhe kishte mbetur e bllokuar mbi tendën e një apartamenti, pa asnjë mundësi për t’u larguar.
Për shumëkënd, kjo mund të duket një ndërhyrje e vogël, por në të vërtetë ky gjest flet më shumë se mijëra fjalë. Ai tregon se në radhët e zjarrfikësve ende ka njerëz që e ndiejnë uniformën si thirrje të ndërgjegjes, jo vetëm si punë të përditshme. Ata nuk shpëtojnë vetëm jetë njerëzish nga flakët, por japin shpresë dhe mbrojtje për çdo krijesë të pambrojtur.
Në një kohë kur shpesh dëgjojmë kritika për ta nga institucionet dhe mungesë vlerësimi për këtë profesion, ky moment i vogël është një kujtesë e madhe se zjarrfikësit tanë janë heronj të heshtur, që nuk presin duartrokitje, por që i përgjigjen detyrës me përulësi dhe zemër.
Mesazhi i qytetarit:
Këta meritojnë respekt dhe pagë më dinjitoze, çunat e zjarrfikëses Tiranë gjithmonë në gatishmëri, respekte!