Një qytetar ka denoncuar praktika të rënda nga një grup peshkatarësh në zonën e Durrësit, të cilët sipas tij, veprojnë jashtë çdo norme ligjore dhe pa respekt për mjedisin detar.
Sipas denoncimit, këta individë përdorin pedalina dhe varka të vogla për të hedhur rrjeta në ujërat e cekëta, duke shkatërruar jo vetëm gjallesat e vogla detare, por edhe duke krijuar rrezik për banorët dhe turistët. “Hedhin rrjetat në vetëm një metër ujë, me distanca që arrijnë deri në një kilometër,” thotë qytetari. “Unë vetë kam ngecur në rrjetat e tyre.”
Problemi shtohet edhe nga fakti se, sipas ligjit, rrjetat e peshkimit nuk duhet të hidhen pranë plazheve publike, por të paktën pesë milje larg bregut. Megjithatë, grupi i peshkatarëve vijon të veprojë afër bregut, duke shfrytëzuar plazhet publike dhe duke vendosur varkat në mënyrë të paligjshme.
Qytetari kritikon edhe mungesën e reagimit nga autoritetet lokale: “Kam lajmëruar policinë bashkiake, por duket se është e inekzistente në qytet,” thotë ai. Sipas denoncimit, këta peshkatarë nuk kanë as leje peshkimi dhe as autorizime për përdorimin e varkave, ndërkohë që veprimet e tyre po dëmtojnë rëndë ekosistemin nënujor.
Ky rast ngre shqetësime serioze për ruajtjen e biodiversitetit dhe sigurinë në plazhet e Durrësit, ndërsa qytetarët kërkojnë veprime të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse për të parandaluar shkatërrimin e mëtejshëm të bregdetit.