Një qytetare nga Durrësi ka ndarë me redaksinë e JOQ Albania një episod të pazakontë, që ngre pikëpyetje të mëdha mbi funksionimin e institucioneve shëndetësore në vend.
Sipas rrëfimit të saj, pas një komplikacioni shëndetësor që pësoi bashkëshorti, ajo është drejtuar me urgjencë në Qendrën Shëndetësore Nr. 3 të qytetit, me qëllim që t’i matej tensioni arterial. Por aty është përballur me një situatë absurde: mjekët dhe infermierët i kanë thënë se nuk dispononin një aparat tensioni,një nga pajisjet më elementare në çdo institucion shëndetësor.
E shokuar nga përgjigjja, qytetarja u detyrua të largohej dhe t’ia matë tensionin bashkëshortit në shtëpi, duke marrë vetë masa për një situatë që mund të kishte pasur pasoja të rënda. Ky rast përfundoi mirë, por çfarë do të ndodhte sikur dikush të ishte në gjendje më të rënduar?
Ky denoncim është vetëm një tjetër shembull i gjendjes alarmante në të cilën ndodhen qendrat shëndetësore në Shqipëri, ku mungesa e mjeteve bazë e vë seriozisht në rrezik jetën e pacientëve.