Një ngjarje tragjike u regjistrua sot në Bulqizë, ku një minator humbi jetën në një prej galerive të këtij qyteti. Ngjarja u bë e ditur nga Policia e Shtetit.
“Bulqizë /informacion paraprak Me datë 24.09.2025, rreth orës 11.30, dyshohet se është aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Bulqizë dhe ka humbur jetën, shtetasi K.D., rreth 50 vjeç, punonjës në këtë subjekt. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje”, është ky njoftimi i thatë i policisë.
Siç shihet njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit ka lënë pas një sërë mungesash të theksuara në informacion, duke shmangur detaje thelbësore si vendi i saktë i ngjarjes, arsyeja konkrete e aksidentit dhe emri i subjektit ku ndodhi humbja e jetës. Këto mungesa ngjallin shqetësim serioz për transparencën institucionale, pasi nuk përmendet kompania që operon në minierën në fjalë. Fshehja e identitetit të subjektit minerar shihet si përpjekje për të mbrojtur interesat e pronarëve dhe jo të viktimës.
Por çfarë ndodhi sot në Bulqizë?
Minatori i cili ndërroi jetë është Kujtim Dangri dhe nuk është 50 vjeç, por vetëm 38 vjeç, një baba që la pas familje fëmijë dhe grua. Jeta e tij u mor nga mungesa e sigurisë në galerinë “TRUE – L Shpk” e cila është në pronësinë e Roland Kacit dhe Lejdon Gjonit. “TRUE – L Shpk” është regjistruar më 26 janar 2022 dhe operon në fushën e shfrytëzimit dhe tregtimit të mineraleve nëntokësore e sipërfaqësore, si dhe në import-eksportin e pajisjeve minerare, teksa aktiviteti ushtrohet në Bulqizë, në Galerinë 43 të Zonës D, aty ku ndodhi vdekja e Dangrit dhe në Elbasan e Durrës.
Në mungesë të informacioneve të detajuara dhe transparencës, punëtori fatkeq vritet për së dyti, një herë nga kushtet e rrezikshme në të cilat punohet çdo ditë në minierat e Bulqizës, dhe një herë tjetër nga heshtja, mungesa e përgjegjësisë dhe zbehja e rëndësisë së jetës së tij në një njoftim të thatë e të cunguar. Kur institucionet zgjedhin të mos e thonë të plotë historinë, ato bëhen pjesë e padrejtësisë.