Një nënë ka denoncuar përmes një mesazhi drejtuar JOQ një situatë tronditëse që ka përjetuar foshnja e saj gjatë trajtimit në spital te urgjenca pediatrike te Infektivi. Ajo rrëfen me dhimbje se vajza e saj, ka shpërthyer në të qara nga dhimbjet, pasi është shpuar në mënyrë të përsëritur për t’i vendosur një vigon deri në momentin që trupi i është bërë plagë nga të shpuarat.
Trupi i të miturës është mbuluar nga fasha dhe pika, duke lënë pas një përvojë që nëna e quan trauma e parë e jetës së saj. Si nënë, ajo kërkon përgjegjësi nga stafi mjekësor dhe gjithashtu një ndryshim rrënjësor në mënyrën sesi trajtohen fëmijët në spitalet tona. Apeli i nënës është një thirrje për humanizëm dhe profesionalizëm në trajtimin e më të vegjëlve.
“Përshëndetje JOQ! A është ky kujdesi që meritojnë fëmijët tanë? Kjo është goce ime. Zemra ime. Një krijesë e pafajshme që s’di as të flasë, vetëm qan kur e dhemb. Sot, këtë trup të vogël dhe të butë e kanë shpuar një mijë herë për t’i vendosur një vigon. E kanë shndërruar në një fushë shpimesh, me të gjithë trupin të mbuluar nga fasha dhe pika. Jam nënë. Dhe s’mund të rri më në heshtje. S’dua t’ua fsheh askujt këtë dhimbje që më çan shpirtin. Nuk është normale, nuk është humane dhe nuk është as profesionale që një foshnje të trajtohet kështu, si një lodër laboratori. Nuk është thjesht “një procedurë”. Është trauma e parë e jetës së saj. Unë po kërkoj përgjegjësi. Jo për hakmarrje. Por për të ndalur këtë sjellje që po përsëritet nëpër spitale çdo ditë. Fëmijët tanë nuk janë eksperiment. Janë jetë. Janë dashuri. Janë e ardhmja jonë. Ky është spitali ynë i famshëm i urgjencës pediatrike te Infektivi.”, shkruhet në denoncim.