Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë zhvilloi dy operacione në tregun valutor me qëllim stabilizimin e kursit të këmbimit. Në 17 shtator, kur Euro shënoi një minimum historik prej 96.78 lekësh, Banka Qendrore ndërhyri me blerje të drejtpërdrejta, edhe pse shuma e saktë nuk u bë publike.
Vetëm dy ditë më vonë, më 19 shtator, u mbajt edhe ankandi i radhës i planifikuar për blerje të valutës. Banka vendosi të përthithë 10 milionë euro në raundin e parë – shumën maksimale të parashikuar , me një kurs mesatar të ponderuar prej 96.98 lekësh. Po ashtu, u përdor opsioni i raundit të dytë për të blerë 2.4 milionë euro shtesë, me të njëjtin kurs mesatar.
Oferta e pjesëmarrësve në ankand rezultoi e lartë, duke arritur në 20.8 milionë euro vetëm në raundin e parë. Në total, për vitin 2025 janë parashikuar 22 ankande, nga të cilat tashmë janë zhvilluar 17. Synimi i Bankës është të blejë 270-350 milionë euro, një objektiv i rritur me rreth 20 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Deri tani, të dhënat zyrtare raportojnë blerje prej 33.2 milionë eurosh vetëm në tremujorin e parë, ndërsa në muajt vijues pritet një rritje e ndjeshme e volumit për shkak të shtimit të ankandeve dhe rikthimit të ndërhyrjeve direkte.
Pavarësisht ndërhyrjeve, Euro vijon të qëndrojë në nivele rekord të ulëta. Kursi i 23 shtatorit ishte 96.83 lekë, shumë pranë minimumit të arritur një javë më parë. Sipas agjentëve të tregut, kjo lidhet me ofertën e lartë të valutës, por edhe me fenomenin e njohur si “efekti sustë”: një rritje e përkohshme e kursit si pasojë e kërkesave të mëdha, e ndjekur nga një rënie e menjëhershme sapo ato blerje përfundojnë. Ky skenar u pa në fund të gushtit, kur një kompani e madhe solli një ngritje të përkohshme të Euros pranë nivelit 98 lekë, për t’u pasuar më pas nga një rënie më e thellë.
Një tjetër faktor që po ushtron presion mbi tregun është përdorimi në rritje i kartave të pagesave. Turistët e huaj, përmes shpenzimeve me karta, po sjellin flukse të mëdha valutore në bankat tregtare, duke ndikuar drejtpërdrejt në kursin e këmbimit.
Përveç faktorëve të tregut, edhe politika fiskale po ndikon në mbiçmimin e lekut. Për 8-mujorin e parë të vitit 2025, buxheti ka regjistruar suficit prej mbi 41 miliardë lekësh, megjithëse 30% më i ulët se një vit më parë.
Megjithatë, ritmi i rënies së Euros ka filluar të zbutet. Ndërsa një vit më parë tkurrja vjetore ishte rreth 7%, aktualisht ka zbritur pranë nivelit 2%, duke lënë të hapur pyetjen nëse tregu po afrohet drejt një stabilizimi të ri.